Ashtu si futbollistët, edhe trajneri i Shqipërisë Edi Reja e kishte të vështirtë të pranonte humbjen ndaj Turqisë, ndërsa në intervistën e dhënë për Supersport, tha se nuk kishte asnjë vërejtje për mënyrën se si luajtën futbollistët e tij.

Sa e vështirë është të pranosh një humbje si kjo?

Nuk jam i zhgënjyer për lojën që bëmë, pasi luajtëm në mënyrë perfekte, por patëm disa mundësi shënimi dhe nuk i shfrytëzuam, duke lënë ndeshjen të hapur. Është një mëkat që humbëm në minutën e 90’, pasi jam i bindur që nuk e merituam këtë rezultat. Humbëm një rast shumë të mirë, pasi me 3 pikë do të mund të tentonim Europianin. Të gjithë djemtë, ashtu si edhe populli shqiptar janë të mërzitur, por duhet të shohim përpara.

Çfarë ju pëlqeu dhe çfarë ju mërziti ndaj Turqisë?

Nuk mund të them asgjë negative për këtë ndeshje, pasi kishim grintën e duhur, ndonëse gabuam disa pasime si shumë, por duhet të kemi parasysh që Turqia bëri presing shumë të fortë. Duhet të jemi më të vëmendshëm dhe më determinantë para portës, pasi edhe sot u pa që kemi mangësi.

Çfarë u thatë lojtarëve dhe veçanërisht Manajt, pas ndeshjes?

Isha i mërzitur në fund të ndeshjes, më shumë me fatin sesa me lojtarë të caktuar,. Asnjëri prej lojtarëve nuk më zhgënjeu dhe nuk luajti nën pritshmëritë e mia. Megjithatë kjo ndeshje konfirmoi rritjen e skuadrës tonë dhe nëse vazhdojmë të luajmë kështu, mund t’ia komplikojmë punën çdo lloj ekipi.

Top Channel