Greqi/ Bllokohen speca dhe kunguj nga Shqipëria, autoritetet: Kishin sasi pesticidesh

11/10/2019 18:07

Autoriteti Grek i Kontrollit të Ushqimeve, bllokoi të premten në Pire, një sasi prej 71 arka speca dhe 708 kg kunguj të importuara nga Shqipëria, pasi në analizat e bëra, u gjet se ato kishin ngarkesë më të madhe se norma e lejuar me pesticide.

Pas analizave të kryera, në sasinë e specave dhe kungujve, u gjet se ato kishin pesticide të llojit Chlorpyrifos në sasinë 0.098 mg për kile tek specat, ndërsa tek kungujt, sasia e pesticidit ishte 0.024mg/kg, ose afro dyfish i sasisë së lejuar prej legjislacionit europian.

Mësohet se sasia e perimeve u sekuestrua mbas njoftimit që autoritetet greke morën prej sistemit europian të monitorimit RASFF, dhe bllokuan sasinë vetëm pak se ajo të dilte në treg.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria Greke e Bujqësisë deklaroi se do të vazhdojë analizat në të gjitha produktet bujqësore që vijnë direkt nga Shqipëria ose indirekt, nëpërmjet vendeve me të cilat Greqia ka marrëveshje të tregëtisë së lirë, siç është Serbia.

Sipas palës greke, produket bujqësore shqiptare janë në krye të listës si të dyshuara se në to ka doza më të larta se ato të lejuarat për pesticidet.

Mbas produkteve shqiptare të dyshimta janë edhe ato turke, ndërsa në jo pak raste prodhimet turke dhe shqiptare kalojnë tranzit nëpërmjet Bullgarisë dhe Serbisë, ç’ka e vështirëson gjetjen dhe bllokimin e tyre.

Një vit më parë disa ngarkesa me domate shqiptare ishin sekuestruar në Pire, ndërsa autoritetet thonë se kanë marrë masat që ti pengojnë këto produkte të lëvrohen në tregun vendas.

Top Channel