Mungesa e Kosovës dhe Malit të Zi, Rama: Askush nuk është i përjashtuar, i presim në takimin tjetër

10/10/2019 12:38

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja Hercegovina nuk iu bashkuan takimit të Novi Sadit, në të cilin morën pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, dhe që synon krijimin e një “Shengeni Ballkanik”.

Në konferencën e përbashkët me Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev, kryeministri Edi Rama tha se të treja shtetet e tjera të Ballkanit të Perëndimor janë të mirëpritura në takimin e radhës që do të zhvillohet më 10 nëntor në Ohër.

“Nuk janë absolutisht as të përjashtuar dhe as të vendosur në një korsi tjetër. Janë të mirëpritur qysh në takimin tjetër që të na bashkohen dhe ne jemi në dispozicion. Kam dëgjuar shumë kritika të cilat nuk sjellin alternativa, por nisen nga ‘status quo’-ja dhe nga e shkuara”, tha Rama.

Duke iu referuar ekonomisë, Rama theksoi se “ne nuk mund të mbyllim sytë përpara shifrave”.

“Kemi angazhuar një grup me ekspertë të vendeve tona, edhe me një ekspertizë ndërkombëtare. Në takimin e Ohrit do të jemi në gjendje të tregojmë më konkretisht se çfarë të mirash ka ky proces. Nuk ka asgjë në këtë proces që është e panjohur dhe e pa miratuar nga të gjithë vendet e rajonit gjatë Procesit të Berlinit. Ka vetëm një gjë të re vullneti për të shtyrë përpara atë që kemi parë në letër. Nuk do presim që ta bëjnë të tjerët për ne dhe nuk do të presim dakordësinë e të tjerëve. Ne nuk mund të marrim investime të mëdha të huaja sepse jemi shumë të vegjël dhe shumë të mbyllur. 2021 është objektivi ynë për të garantuar që ky rajon të jetë i hapur. Edhe ky proces do të lehtësojë zgjidhjen e çështjeve të hapura”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Pas takimit të 10 nëntorit në Ohër, do të jetë Shqipëria vendi i radhës ku do të mblidhen liderët e tre vendeve.

  Konferenca/ Serbi-Shqipëri, lëvizje vetëm me karta identiteti. Takimi i radhës në Ohër

  Rama-Vuçiç-Zaev shtrëngojnë duart: Nuk do presim Bashkimin Evropian, s’jemi prioritet i tyre

Top Channel