Në Policinë e Shtetit është krijuar “Grupi i Punës”, i cili do të punojë për hartimin dhe përgatitjen e analizës se riskut dhe planit te integritetit për efektivët.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se “Misioni i Asistencës Policore i Bashkimit Evropian në Shqipëri (PAMECA) ka hartuar raportin ‘Metodologjinë për kryerjen e një analize risku dhe identifikimi i praktikave të prirura ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit”, dokument qe iu vu në dispozicion Policisë së Shtetit”.
“Një nga rekomandimet kryesore të kësaj Metodologjie të Vlerësimit të Rrezikut ka të bëjë me krijimin e “Grupit të Punës” për t’u trajnuar mbi analizën e rrezikut të korrupsionit dhe masat e tjera parandaluese, me qëllim përgatitjen e një harte të parë, të plotë dhe të thellë të rreziqeve të korrupsionit në Shqipëri. Përgatitja e një dokumenti konkret, përkatësisht analiza e riskut dhe matrica e rreziqeve të korrupsionit, sipas metodave e standardeve bashkëkohore, të cilat përveç se janë parashtruar në raportin paraprak do të konkretizohen e zhvillohen më tej në trajnimin dy ditor të planifikuar, do të jetë një udhërrëfyes dhe shpresojmë të shërbejë si indikator për të matur nivelin e korrupsionit/integritetit në organizatën e Policisë së Shtetit”, tha Veliu.
Veliu garantoi gjithashtu se “Policia e Shtetit është në proces vetingu të përhershëm dhe është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe korrupsion edhe brenda radhëve të saj”.
Top Channel