Futbolli nuk luhet vetëm në fushat reale, por edhe në ato virtuale me anë të lojërave kompjuterike ku edhe fitimet janë të konsiderueshme. EA Sports prezantoi sezonin e ri të kompeticioneve për FIFA 20 dhe struktura do të mbetet e njëjtë me atë të sezonit të kaluar ku kampion u shpall Mohammed Harkous që luajti me pseudonimin ‘MoAuba’. Ndërkaq është konfirmuar edhe rikthimi i kompeticionit ‘eNational League’ dhe ‘eChampions League’. Janë këto kompeticione ku do të investohen plot 3 milionë dollarë si shpërblim.

Kompeticionet e para, janë FUT Champions që do të nisin  gjatë këtij muaji. Për t’u kualifikuar pjesëmarrësit duhet të jenë të paktën 16 vjeç dhe duhet të jenë lojtarë FUT Champions Verified që do të thotë se do të testojnë aftësitë e tij në FIFA 20 ku do të duhet të sigurojnë jo më pak se 27 fitore për vetëm 1 javë në FUT Champions Weekend League dhe kjo brenda 3 shkurtit 2020. Pas kësaj, ata që e arrijnë këtë do të ftohen të marrin pjesë në turnetë kualifikues që do të bëhen online, FUT Champions Cup ku do të jenë edhe  4 të parët e eWorld Cup 2019.

Në 2020 do të zhvillohen turnetë më të rëndësishëm mes të cilëve edhe eClub World Cup në muajin shkurt dhe eNations Cup në maj. eChampions League do të luhet ekskluzivisht në PlayStation  në 4-29 maj, data këto që mund të ndryshojnë. Sfidat kualifikuese të Ligës së Kampioneve virtuale do të nisin në 13 mars. Përsa i përket eWorld Cup, ky kompeticion do të zhvillohet në muajin korrik në mbyllje të sezonit dhe në të do të marrin pjesë 32 lojtarët që kanë bërë paraqitjen më të mirë.

Top Channel