Kjo është deklarata e presidentit Meta pak minuta pasi presidenca publikoi përgjigjien ndaj Komisionit të Venecias. Në letrën dërguar presidentit të këtij komisioni Gianni BUQUICCHIO.

Presidenti Ilir Meta mbërrin në përfundimin se:

“Ekspertët kanë tejkaluar objektin e punës së tyre duke ndërhyrë në kompetencat dhe vlerësimin e OSBE/ODHIR, institucioni më i lartë i autorizuar për monitorimin dhe trajtimin e çështjeve zgjedhore”.

Në letrën plot me shqetësime presidenti theskon se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori nga disa ide fikse duke bërë që faktet dhe analiza të mos kenë përputhje racionale me konkluzionet e projekt-opinionit.

“Paraqitja e fakteve dhe rrethanave në projekt-opinion është e pabalancuar dhe e paplotë. Ekspertët do të duhet të ndërtonin ose një opinion teorik, duke iu referuar vetëm bazës ligjore, jurisprudencës dhe doktrinës kushtetuese, ose një opinion në themel, duke u futur plotësisht në brendësi të çështjes”.

Shqetësimet e presidentit Ilir Meta nuk mbarojnë me kaq.

“Projekt-opinioni nxjerr disa konkluzione që tejkalojnë mandatin e Komisionit të Venecias si organ këshillimor, dhe për të cilat nuk është pyetur nga Kuvendi i Shqipërisë. Gjithashtu ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat e tyre këshillimore, duke i veshur vetes atributet e gjykatësit”.

Disa vlerësime dhe konkluzione të ekspertëve të Komisionit të Venecias thotë presidenti, bien në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare dhe me frymën mbi të cilën është ndërtuar Kushtetuta, përsa i takon rolit dhe kompetencave të Kreut të Shtetit;

“Projekt-opinioni dhe mënyra se si është ndërtuar, rrezikon krijimin e një precedenti problematik për një rend shoqëror demokratik. Nëse ky projekt miratohet siç është atëherë çdo lider autokrat mund ta interpretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij. Ky projekt -opinion rindezi polarizimin politik pikërisht kur palët rivendosën një urë dialogu;Ky projekt-opinion nuk është trajtuar dhe as pritet të trajtohet juridikisht nga Kuvendi, por vetëm politikisht, pasi ky ishte edhe qëllimi fillestar dhe i vetëm i të gjithë procesit”.

Pasi ka parë konkluzionet paraprake të Venecias presidenti Ilir Meta kërkon që ky komision ti japë përgjigje edhe 8 pyetje të tjera krahas atyre që dërgoi kuvendi Shqipërisë. A i është kërkuar Komisionit të Venecias të japë një opinion për vlerësimin e procesit të votimeve të 30 qershorit 2019? A është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve lokale në Shqipëri? Pyet presidenti Venecian.

Top Channel