Negociatat/Gjonaj: Mungesë bashkëpunimi politik, të mos dërgohen sinjale të gabuara në këtë moment kyç

03/10/2019 11:28

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ceku çështjen e çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Në këtë rrugëtim, të gjithë ne e kemi patur të qartë se rruga për në BE kalon përmes reformash. Ne nuk e kemi parë Bashkimin Evropian si instrument për të legjitimuar reforma në sisteme ku askush nuk kishte guxuar të hynte më parë, as si trofe, pasi për ne BE nuk është një mjet. Për ne është një destinacion, një familje vlerash. Ndaj qasja jonë ndaj BE nuk ka qene instrumentale, por një ndërmarrje hapash të vendosur drejt asaj që ne besojmë se i përkasim”, tha ndër të tjera Gjonaj.

Deklarata e plotë:

Rezoluta “Për celjen e negociatave të Republikës së Shqipërisë për anëtarësimin në BE” është një dokument politik që shfaq vullnetin ndërpartiak për të punuar së bashku drejt rrugëtimit Evropian të Shqipërisë.

Ky dokument, tregon  mbështetjen që qytetarët Shqiptarë – të cilët ju i përfaqësoni në këtë Kuvend- kanë për Bashkimin Evropian;  është tregues i qartë se qytetarët Shqiptar e shohin BE si aleatin e tyre strategjik dhe alternativën më të mirë.

Në fakt, është pikërisht vokacioni evropian i qytetarëve shqiptar që ka shërbyer si promotorr i shumë reformave të thella. Fuqia transformuese e zgjerimit të BE nuk do të kishte këtë efekt në Shqipëri, nëse nuk do të kishte mbështetjen e qytetarëve.

Përmbushja e pesë rekomandimeve të Komisionit Evropian për celjen e negociatave nuk ka qenë një ushtrim i thjesht. Krijimi i një sistemi të re drejtësie, ngritja e një administrate të pavarur, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe përmirësimi i standardit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë kërkuar ndërmarrjen e një sërë reformash të thella, pune të palodhur, guxim për të vazhduar përpara edhe kur nuk dukej se kishte rrugëdalje, e mbi të gjitha një vullnet konstant për të realizuar me seriozitet angazhimet e marra. Kjo edhe sepse këto 5 rekomandime nuk ishin vetëm objektiva të importuara nga jashtë, por zotime të cilat ne ja kemi bërë qytetarëve tanë pikë së pari.

Në këtë rrugëtim, të gjithë ne e kemi patur të qartë se rruga për në BE kalon përmes reformash. Ne nuk e kemi parë Bashkimin Evropian si instrument për të legjitimuar reforma në sisteme ku askush nuk kishte guxuar të hynte më parë, as si trofe, pasi për ne BE nuk është një mjet. Për ne është një destinacion, një familje vlerash. Ndaj qasja jonë ndaj BE nuk ka qene instrumentale, por një ndërmarrje hapash të vendosur drejt asaj që ne besojmë se i përkasim.

Ministria e Drejtësisë ka patur dhe do të ketë një rendësi të vecantë në realizimin e 5 rekomandimeve. Tre nga pesë rekomandimet kryesore të Komsionit Evorpian për celjen e negociatave kanë qënë përgjegjësi e kësaj Ministrie dhe janë drejtuar prej saj. Reforma në Drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e të drejtave themelore janë prioritete të punës tonë të përditshme dhe unë falendëroj stafin e Ministrisë së Drejtësisë dhe të gjithë institucionet e pavarura me të cilët kemi bashkëpunuar në realizimin e objektivave të përbashkëta.

Rezultati pozitiv i këtyre reformave u njoh edhe nga Komisioni Evropian, i cili, duke u bazuar në analizën faktike dhe teknike të ndërhyrjeve tona, vlerësoi se Shqipëria i ka përmbushur kushtet për celjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Kemi ende shumë për të bërë, pasi shteti i së drejtës, lufta ndaj korrupsionit dhe mbrotja e të drejtave të njeriut janë objektiva të perhershëm, me sfida të vazhdueshme, edhe për vet vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë rezultatet e arritura deri tani as nuk mund të mohohen dhe as nuk mund të relativizohen për qëllime politike. Reforma në drejtësi, pavarësisht pengesave dhe goditjeve, vijon të mbetet një reform mbresëlënëse, e cila po shihet si model për tu eksportuar edhe në shtete të tjera. E tillë vlerësohet kjo reformë vazhdimisht nga partnerët tanë ndërkombëtar, apo edhe nga delegacionet e shteteve të huaja që vijnë të vizitojnë Shqipërinë për të mësuar më shumë rreth kësaj reforme.

Vlerësimi pozitiv i Komisionit Evropian dhe i partnerëve tanë ndërkombëtar shërben si një nxitës për të vijuar më tej me po të njëjtën vendosmëri me sfidat e reja.

Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, ngritja e SPAK dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë janë vazhdim i zbatimit të reformës në drejtësi. Vonesat në ngritjen e këtyre institucioneve, të ardhura si për shkak të vonesave politike, ashtu edhe nga procesi teknik dhe kompleks i vettingut apo numri i lartë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, shpresojmë do të tejkalohen së shpejt dhe brenda vitit secili nga këto institucione do të mund të ketë filluar veprimtarinë normale

Ministria e Drejtësisë ka kontribuar në realizimin e kësaj reforme, jo vetëm në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore, por duke shërbyer edhe si interlokutori kryesor i organeve të pavarur para qeverisë, për të maksimizuar cdo nevojë për asistencë, në mënyrë që këto organe të funksionojnë sic duhet. Mbështetja e qeverisë për këtë reformë si nga pikëpamja infrastrukturore, logjistike dhe financiare ka qene e jashtëzakonshme.

Do të jetë kjo drejtësi e re, qe do të bëjë të mundur luftën e krimit të organizuar dhe korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej kufinjëve. Ministria e Drejtësisë është kontributori dhe ndërlidhësi kryesor i marrëveshjes me EUROJUST. Falë ndjekjes dhe përmbushjes së kushteve të vendosura, Ministria e Drejtësisë ka mundur të hapë rrugën e bashkëpunimit të Shqipërisë me një strukturë transnacionale për hetimin e veprave penale përtej kufinjëve. EUROJUST do të mundësojë një bashkëpunim më të mirë gjyqësor me juridiksionet evropiane dhe bashkëpunim më të thellë në hetimet e përbashkëta.

Si Koordintor Kombëtar Antikorrupsion kemi vijuar punën koordinuese dhe  monitoruar për të arritur pikërisht rezultatet kryesore në luftën kundër korrupsionit në tre drejtimet e veta: parandaluese, shtrenguese dhe ndërgjegjësuese. Aktualisht, Ministria e Drejtësisë po merr ekspertizën më të mirë të BE dhe po bashkëpunon ngushtë me institucionet e pavarura dhe shtetëroer për të patur një plan veprimi që është ambicioz, por edhe i realizueshëm.

Krahas Krahas Task Forcës, i cili ka vepruar si krahu ndëshkues i qasjes kundër korrupsionit, po punohet për krijimin e një Rrjeti Anti- Korrupsion. Rrjeti Anti- Korrupsion do të përbëhet nga koordinatorë, të vendosur në agjensi qendrore dhe vendore ku perceptimi i publikut për korrupsionin është i lartë. Këto koordinatorë do të ndjekin së bashku me Task Forcën Anti-Korrupsion rastet korruptiove të denoncuara nga qytetarët që do të ngrihet në Ministrinë e Drejtësisë, rastet korruptive të denoncuara nga qytetarët me qëllim që të kemi një instrument më të efektshëm për të ndjekur rastet korruptive të denoncuar nga qytetarët.

Proceset që vijojnë hapjen e negociatave janë sa politike dhe teknike, ndaj nevojitet një bashkëpunim dhe koordinim i mirë në të dyja nivelet. Mungesa e bashkëpunimit politik në agjendën e brendshme reflektohet edhe në sytë e partnerëve tanë si një mungesë prioritetesh;  mungesa e bashkëpunimit të brendshëm për interesa madhor si integrimi evropian mund të lexohet negativisht se ky i fundit sikur nuk është prioritet i politikës Shqiptare.

Ndaj, unë inkurajoj të gjithë forcat politike, brenda dhe jashtë këtij Kuvendi që të mos dërgojnë këto sinjale të gabuara në një moment kyç për Shqipërinë.

Top Channel