Athina vendos të zhvendosë emigrantët nga ishujt. Gjendja në kampet e tejmbushura në ishujt e Egjeut është aq dramatike, saqë vetëm akomodimi në kampet brenda vendit mund të lehtësojë disi situatën.

Qeveria në Athinë ka zhvendosur deri më tani 350 emigrantë duke i sjellë në kampet brenda vendit dhe qindra të tjerë do të dërgohen të hënën në Pire. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos deklaroi, se numri i refugjatëve nga Turqia në Greqi po merr, dimensionet e një krize kombëtare”.

Qeveria në Athinë kërkon që të zhvendosë në kampet brenda vendit më shumë se 10.000 vetë nga kampet e regjistruara në ishull.

“Nuk mund t’ia dalim ndryshe, në disa ishuj ka më shumë migrantë se banorë”, theksoi guvernatori i gadishullit të Peloponezit, Panajotis Nikas. Ne duhet të veprojmë tani dhe të zhvendosim njerëzit.” Kryesisht brenda vendit do të sillen migrantët që kanë shanse të mira për azil në Greqi.

Në prill numri i migrantëve që jetonin në ishujt grekë zbriti në 14.000 vetë. Por sipas organizatës së OKB-së për refugjatët, UNHCR vetëm në gusht kanë ardhur në Greqi, në ishujt Lesbos, Kios, Samos, Leros dhe Kos 8103 migrantë.

Kjo është shifra më e lartë që nga hyrja në fuqi e paktit të Turqisë me BE në mars 2016. Ai parasheh, që BE mund t’i kthejë të gjithë refugjatët dhe migrantët që vijnë ilegalisht përmes Turqisë në ishujt grekë.

Vetë në Greqi përpunimi i kërkesave për azil kërkon një kohë shumë të gjatë për shkak të mungesës së personelit.

Top Channel