Ky pallat, që ndodhet në plazhin e Durrësit është shpallur i pabanueshëm, për shkak të dëmtimeve që pësoi nga tërmeti i së shtunës. Pallatit i janë vendosur shiritat, dhe një pjesë nga 15 familjet e përhershme që banojnë këtu, janë vendosur në shtëpitë e pushimit të qeverisë, në zonën e Kavalishencës, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë hyrje me qira apo janë strehuar tek të afërmit.

Për banorët e këtij pallati, tërmeti i së shtunës krijoi një situatë te frikshme. Edmondi banon në katin e 6. Ai tregoi për Top Channel, tmerrin që përjetoi në momentin e parë që ra tërmeti.

“Zbritëm nga pallati dhe duke ecur kishte çarje te vazhdueshme. Kur zbritëm poshtë, ishte edhe goditje fatale që u çanë muret. Tymi dhe pluhuri na mbuloi”, ka thënë Edmondi.

Për këtë pallat, bashkia Durrës ka çuar grupin e inxhinierëve që kryen verifikimet e dëmeve. Ata i kanë premtuar banorëve se puna do të fillojë me këtë pallat për shkak të gjendjes urgjente.

“Na kanë premtuar se do ta rregullojnë. Thanë se do ta nisin punën me këtë”,ka shtuar Edmondi.

Pallati i cili ndodhet përballë pistës Iliria, është ndërtuar në vitin 2010, ndërsa vitin e kaluar, banorët kishin marrë hipotekën. I gjithë objekti, ka 85 apartamente, shumica e tyre që shfrytëzohen përgjatë sezoni veror ose janë blerë nga emigrantët. Edhe për ta, situata është shqetësuese, dhe duhet të presin që pas verifikimeve të fillojë rikonstruksioni i pallatit.

Top Channel