Rohani: Irani u reziston sanksioneve, SHBA-ja është “e dëshpëruar”

24/09/2019 03:21

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha të hënën se sanksionet e reja të Shteteve të Bashkuara, të cilat godasin Bankën Qendrore të Iranit për herë të dytë, tregojnë për “dëshpërmimin” e SHBA-së përballë rezistencës iraniane.

SHBA-ja ndërmori sanksione të reja kundër Iranit të premten, pas sulmeve në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite. Riadi dhe zyrtarët amerikanë e fajësuan Iranin për këto sulme.

Teherani e mohoi përfshirjen, ndërsa vetë përgjegjësinë e morën rebelët Huthi në Jemen – një grup i lidhur me Iranin që lufton një aleancë të udhëhequr nga sauditët në luftën e Jemenit.

“Amerikanët po sanksionojnë institucione që kanë qenë në listë të zezë. Kjo sinjalizon dëshpërimin e plotë të Amerikës dhe tregon se presioni maksimal ka dështuar … pasi kombi i madh iranian ka rezistuar me sukses”, tha Rohani në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara duan të shmangin luftën me Iranin dhe se trupat shtesë, që janë urdhëruar të vendosen në rajonin e Gjirit, janë “për mbrojtje”.

Por, Rohani tha se situata në rajon është serioze dhe për të fajësoi SHBA-në.

Irani është nën sanksione të SHBA-së edhe për shkak të programit të tij bërthamor dhe raketor./REL

Top Channel