Probleme në kontrollin ajror të Francës dhe Spanjës, anullon qindra fluturime

01/09/2019 19:40

Një problem në kontrollin ajror të Francës ka krijuar një kaos tek udhëtarët në shumë aeroporte të Europës, kryesisht tek ato britanike. Data 1 shtator është një ditë fluksi udhëtimesh pasi pushuesit përfundojnë pushimet dhe kthehen në vendet e tyre të punës.

Kompania “British Airways” ka anulluar disa fluturime nga aeroporti “Heathrow” i cili ndodhet në Londër. Fluturimet e anulluara janë drejt Athinës, Berlinit, Barcelonës Lisbonës, Romës dhe disa qyteteve të tjera. Përveç anullimeve janë të shumta shtyrjet e udhëtimeve me nga 2-3 orë.

“Njësoj si kompanitë tjera, edhe ne jemi prekur nga problemi i kontrollit ajror që lidhet me hapësirën ajrore të Francës dhe Spanjës”- tha një zëdhënës i kompanisë duke i kërkuar falje udhëtarëve për problemin e krijuar.

Edhe kompania lowcost “EasyJet” ka pasur disa anullime të fluturimeve. Kompania ka anulluar fluturimet drejt Amsterdam, Edinburg dhe Mynih.

Nuk ka sqarime se kur mund të zgjidhet problemi i krijuar dhe fluturimet t’i kthehen normalitetit.

Top Channel