Gjykata e Apelit në Vlorë lë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në Burg”, për Mihal Kokëdhimën; masë kjo e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, po në Vlorë.

Seanca ndaj Kokëdhimës është zhvilluar një ditë më parë në Gjykatën e Apelit, Vlorë, ndërsa trupi gjykues është përbërë nga Skënder Damini, Klodiana Gjyzari dhre Petrit Aliaj, prokuror Kleant Zeka, ndërsa avokat i Kokëdhimës, Gëzim Veleshnja. Kokëdhima nuk është përfaqësuar nga të njëjtët avokatë, që ishin të pranishëm në seancën e masës së sigurisë, në Gjykatën e Shkallës së parë.

Pala mbrojtëse e Kokëdhimës ka ngritur gjithsesi të njëjtin pretendim si në seancën e shkallës së parë, duke kërkuar një masë sigurie më të lehtë për Kokëdhimën, i cili akuzohet për tre vepra penale, Shkatërrim të pronës, Dëmtime të tjera me dashje dhe kanosje.

Seanca në Gjykatën e Apelit në Vlorë është zhvilluar ditën e martë me dyer të mbyllura dhe jashtë vëmendjes së medieve, ndërsa pala mbrojtëse e Kokëdhimës e ka apeluar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, por apeli ka lënë në fuqi sërish vendimin për arrest në burg për Mihal Kokëdhimën.

Ky i fundit u përfshi në konfliktin me turistët spanjollë në lokalin e tij Panorma në Porto Palermo, lokal i cili tashm është hedhur përtokë pas një aksioni të IKMT-së.

Top Channel