Aktori amerikan Richard Gere ka shpërndarë ushqime në një anije spanjolle bamirësie, ku qëndrojnë të bllokuar 121 emigrantë.

Anija është bllokuar prej tetë ditësh pasi shpëtoi emigrantët në dy raste në Mesdhe. Asaj i është ndaluar hyrja në Itali dhe Maltë. Ekuipazhi kishte paralajmëruar ndërkohë se shumë shpejt nuk do të kishte më ushqime në bord. Në fotot e publikuara në llogarinë në Twitter, Gere shihet teksa sjell kuti me fruta, perime dhe ujë.

Aktori u shfaq edhe në një video-mesazh, ku u kërkonte njerëzve të mbështesnin organizatën bamirëse që operon anijen dhe emigrantët në bordin e saj.

“Ka shumë njerëz të shpëtuar këtu. Nëse nuk do të ishte Open Arms, ata do të kishin humbur jetën. Ndaj, bëni gjithçka që mundeni për t’i mbështetur ata”, tha Gere në video.

Vetë aktori tregoi se ishte nisur drejt anijes nga Lampeduza.

Open arms, organizata që menaxhon anijen, tha se i ka kërkuar Spanjës, Francës dhe Gjermanisë, ndihmë për gjetjen e një zgjidhjeje. Presidenti i parlamentit evropian, David Sasoli kërkoi ndihmë të menjëhershme në një letër të tij drejtuar Komisionit Evropian. Një zëdhënës i komisionit tha se ishin kontaktuar vendet anëtare dhe i ishte kërkuar atyre të shfaqnin solidaritet, por asnjë vend anëtar nuk ka marrë përsipër për momentin koordinimin.

Top Channel