Pas edicionit të parë dhe të suksesshëm të reality show-t “Hells Kitchen Albania”, formati i njohur amerikan rindez këtë fillimgushti akoma më shumë kureshtjen e publikut, fill pas hapjes së aplikimeve të reja për sezonin e ardhshëm.

Qindra aplikantë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe shumë të tjerë që jetojnë jashtë vendit si: Itali, Gjermania, Franca, madje edhe shtete të paparashikueshme si: Finlanda, Malta apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë regjistruar një numër rekord aplikimesh.

Qindra të rinj të talentuar në fushën e kuzhinës, por edhe një brez mbi të 30-at që ende nuk ka mundur të vendosë veten para sfidave të forta si “Kuzhina e Djallit” rezultojnë të jenë pjesë e aplikimeve për këtë sezon. Një numër i konsiderueshëm aplikantësh, edhe pse nuk kanë njohuri të mirëfillëta në këtë fushë, kanë dëshirën për të njohur më shumë sekretet e “Kuzhinës së Djallit”. Përmes pjesëmarrjes së tyre ata kanë konfirmuar se duan të zbulojnë një “tokë të paprekur”, e cila me shumë siguri mund t”i garantojë një të ardhme të suksesshme në botën e kulinarisë dhe njëkohësisht atë të spektaklit.

Duket se vëmendja e rritur e aplikuesve, ka lidhje edhe me faktin se sivjet për herë të parë produksioni i Top Channel ka arritur të ndërtojë një strukturë moderne dhe gjigante për realizimin e këtij reality show: një shtëpi prej 1 mijë metrash katrorë, në të cilën përfshihet jo vetëm kuzhina më e famshme në Shqipëri, por edhe ambiente të tjera, si fjetina dhe anekset argëtuese për konkurrentët, në mënyrë që ata të arrijnë të nxjerrin më shumë në pah shpirtin e garës dhe më të mirën e mundshme.

Nga aplikimet paraprake, rezulton se një numër i madh karakteresh, nga ata që spikatin për cilësitë e liderit deri tek vajzat e bukura dhe provokuese, gra të cilat pasi kanë provuar kuzhinën e shtëpisë, por që duan të garojnë krah kolegeve me vite eksperiencë mbi supe, të rinj që dinë të mbajnë presionin, por edhe të tjerë që pa dyshim do të dhurojnë edhe plot situata humori.

Numri i aplikimeve vijon ende të rritet, gjithsesi stafi i Kuzhinës së Djallit vijon të ketë vëmendjen maksimale ndaj aplikimeve të cilat do të vijojnë ende përmes faqes së internetit www.top-channel.tv si dhe rrjetet sociale.

Datat e para të audicioneve për të përzgjedhur konkurrentët e HELLS KITCHEN 2 do të jenë: 20, 21 dhe 22 Gusht nga ora 16:00 deri në orën 20:00 te Piramida.

Top Channel