Leshterikë të bezdisshëm, me erë të keqe, po prishin pushimet e turistëve nga Meksika deri në Florida, dhe ky mund të jetë një normalitet i ri nëse Brazili nuk do të ndalë shpyllëzimin e Amazonës. Fajtori, i quajtur Sargassum, i jep ujërave blu të kristalta një ngjyrë kafe të errët dhe mban erë të rëndë si vezë të prishura, kur del në breg.

Leshterikët janë të zakonshëm në brigjet e Karaibeve apo në vende të tjera.

Është pjesë e një ekosistemi për peshqit, gaforret dhe zogjtë. Por, ato janë shtuar dhe përhapur në mënyrë dramatike vitet e fundit, duke mbuluar plazhet me shtresa të thella leshterikësh dhe duke detyruar zyrtarët e turizmit të angazhohen për pastrim në mënyrë që vizitorët të vazhdojnë të vijnë. Dhe në fakt, ato leshterikë, janë të bezdisshëm për turistët dhe një katastrofë për ekonominë dhe ambientin.

“Ne kemi ardhur që nga krahu tjetër, duke kërkuar një vend pak më të pastër. Por duket se është njësoj ngado”, shprehet një turiste.

Autoritetet kanë blerë kamionë dhe makineri që ndihmojnë në pastrimin e leshterikëve. Sidoqoftë, ato e dinë që kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë. Një nga shkaktarët është ngrohja globale, oqeani i nxehtë bën që këta leshterikë të prodhohen më shpejt.

Por, për ekspertët, problemi më i madh është lumi i amazonës. Përreth tij janë hapur shumë toka që përdoren për bujqësi, por duke qenë se janë të një cilësie të dobët, fermerët përdorin shumë kimikate, që shiu i con në lumë dhe lumi i derdh në atlantik. Kështu, këto kimikate përfundojnë duke ushqyer leshterikët.

Top Channel