Irani ka marrë nën kontroll një çisternë të huaj detare së bashku me ekuipazhin. Njoftimin e bëri media shtetërore iraniane të dielën, duke bërë të ditur se e kishte rrëmbyer çisternën gjatë kësaj jave, duke shënuar rastin e tretë brenda një muaji që Roja Revolucionare Iraniane merr nën kontroll një çisternë të huaj.

Në deklaratën e Rojes Revolucionare Iraniane thuhet se anija u mor të mërkurën pranë Ishullit Farsi, në veri të Ngushticës së Hormuzit. Agjencia zyrtare iraniane e lajmeve, IRNA njofton se anija kishte 700 000 litra karburant iranian që po transportohej drejt vendeve arabe të Gjirit Persik.

Nuk thuhej nëse karburanti do të dërgohej në vende të tjera arabe pjesëtare të OPEC-ut. Por Irani ka shprehur shqetësim për kontrabandimin e naftës së tij pas vendosjes së sanksioneve amerikane që e pengojnë Teheranin të tregtojë artikullin e tij më të çmueshëm të eksportit.

Media iraniane nuk identifikon përkatësinë shtetërore të çisternës apo të ekuipazhit që ka ndaluar.

Top Channel