Viktima Feriz Bardhi

Feriz Bardhi i vrarë në derë të shtëpisë nga një breshëri automatiku kishte pak kohë që ishte kthyer pranë familjes . Siç kuptohet nga kqyrja e sistemit TIMS të kryer nga agjentët e krimeve 40 vjeçari rezulton të jetonte më së shumti jashtë Shqipërisë. Por nuk është kjo arsyeja se përse sektori për hetimin e vrasjeve ka ngritur si pistë të parë atë të larjes së hesapeve.

Siç shprehet një burim i sigurt ky dyshim po analizohet me të dhëna të tjera sekrete për shkak të të kaluarës së viktimës. Pavarësisht kësaj piste, dyshimet e tjera lidhen edhe me çështjen personale të Bardhit, ndonëse të afërmit e tij kanë treguar se ai nuk kishte asnjë konflikt në Durrës.
Mekanizmi si është kryer atentati , sipas ekspertëve të kriminalistikës shton bindjen se vrasësi dhe bashkëpuntorët e tij e kanë studiuar zonën , duke zgjedhur pikërisht si vend krimi pragun e shtëpisë së shënjestrës së tyre.

Në qershor të 2012-ës, Bardhi rezulton që të jetë arrestuar nga policia e Pescarës. Së bashku me një tjetër të dyshuar , Arif Qefalinë, ata janë vënë në pranga pasi në mjetin me të cilin po udhëtonin, tip BMW X6 me targa gjermane, kanë pasur rreth 700 gramë kokainë të pastër, që sipas policisë italianë mendohet se destinacioni ishte për në Pescara.

Burimet thanë për Top Channel, se autorët e kanë thirrur Bardhin nga jashtë oborrit të shtëpisë dhe pasi janë siguruar për identitetin e shënjestrës e kanë qëlluar. Ndërkohë që grupi hetimor të enjten po punonte për zbardhjen e vrasjes së 40 vjeçarit në oborrin e shtëpisë së tij, pak orë pas ngjarjes, në Urën e Gjollës, pranë Fushë Krujës, u gjend një makinë e djegur e tipit benz.

Dyshohet se kjo makinë është përdorur nga autorët e ngjarjes për të cilët policia ende nuk ka të dhëna konkrete. Në brendësi të automjetit të djegur, sipas burimeve janë gjendur dy armë kallashnikov,që menjëherë janë dërguar për ekspertizë të mëtejshme.

Deri më tani policia lokale ka shoqëruar rreth 30 persona, dëshmitarë okularë të ngjarjes, por edhe të afërm dhe njohur të cilët, nga burime jo zyrtare pranë policisë mësohet se janë pyetur nëse Feriz Bardhi ka pasur probleme apo konflikte të mëparshme.

Top Channel