Paratë ruse duket se kanë mbërritur edhe në Itali, për të financuar Legën e veriut të Mateo Salvinit.

Prokuroria ka në duar një regjistrim audio, që thotë se është autentik e nga i cili mësohet për një takim në hotelin Metropol të Moskës.

Regjistrimi sipas prokurorisë është marrë nga celulari i njërit prej italianëve të pranishëm në takim.

Regjistrimi është publikuar në korrik 2019 nga “Buzzfeed” dhe i përket një takimi mes presidentit të shoqatës Lombardi-Rusi dhe disa rusëve ende të paidentifikuar, njëri prej të cilëve mund të jetë një funksionar publik.

Me ta, diskutohet për fonde të supozuara që kanë si destinacion fushatën zgjedhore të Legës së veriut.

Prokuroria e Milanos e ka siguruar regjistrimin e takimit dhe thotë se ai i 18 tetorit 2018 nuk është i pari dhe as i vetmi.

Vetë Salvini, kreu i legës së veriut dhe ministër i brendshëm italian, ka mohuar çdo përfshirje në aferë.

Sidoqoftë, hetimet vazhdojnë dhe në shënjestër të prokurorisë ka edhe emra të tjerë, që për momentin nuk bëhen të ditur.

Për ndikimin rus në zgjedhjet në vende të ndryshme të botës, në SHBA, Europë etj, është folur shumë, me Moskën që është vendosur nën shënjestër se përmes fondeve apo ndërhyrjeve kibernetike, është përpjekur të ndikojë në rrjedhën e ngjarjeve.

Top Channel