Në këtë fushë, jo larg nga Galipoli, në Pulia, agronomët po përballen me një baktere që ka infektuar deri më tani miliona pemë ulliri dhe kërcënon të gjithë zonën e Mesdheut. Xylella fastidiosa, për të cilën nuk ka kurë, ka shkatërruar pemët e lashta të ullirit në rajonin jugor të Italisë dhe përtej tij.

Pierfederico La Notte, kërkues në këshillin kombëtar të kërkimeve në itali, ka kuptuar se disa pemë janë rezistente ndaj bakterit që është dhjetëfishuar në këtë rajon të Italisë jugore që nga 2013.

Aktualisht, dy varietete pemësh ulliri, që preken nga sëmundja, por nuk vdesin, janë identifikuar.

“Këto dy varietete janë një pikë nisjeje, ne shpresojmë dhe po punojmë shumë për të gjetur një numër më të madh varietetesh rezistente”, tha Pierfederico La Notte.

Rezultatet janë premtuese; degët e këtyre varieteteve rezistente janë shartuar në trungje pemësh të sëmura dhe janë rritur në mënyrë perfekte, duke prodhuar edhe ullinj. Xhovani Melkarne, që ka humbur 90 për qind të pemëve të tij, që nga fillimi i krizës, do të shkojë më tej, të kërkojë pemë që nuk preken nga sëmundja. Dhe ai i ka gjetur.

Rreziku i prekjes së të gjithë vendeve që rrisin ullinj, është i madh. Ndaj edhe qendra për studimet e avancuara agronomike në Mesdhe, në Bari, vendosi të trajnojë agronomë nga i gjithë Mesdheu. Në Itali, prodhuesin e dytë më të madh në botë të vajit të ullirit, sëmundja është rritur pa pushim dhe dëmi në sektor mund të arrijë në më shumë se 1.2 miliardë euro.

Top Channel