Më shumë se 400 balona me ajër të nxehtë, u ngritën njëkohësisht në qiell, në Chambley Bussieres të Francës, ku edhe mbahet një nga eventet më të mëdha me balona, por pa mundur të thyejë rekordin e 2017, kur sipas organizatorëve, u ngritën në fluturim 456 aerostatë.

Në tre rreshta dhe në një distancë totale prej pesë deri në shtatë kilometrash, balona të të gjitha ngjyrave, në duart e drejtuesve nga 38 vende të ndryshme, u ngritën njëkohësisht në qiell në orën 7 e 30 min të mëngjesit. Ishin ndërkohë të shumtë edhe spektatorët që e ndoqën eventin nga toka.

Eventi në fakt ishte planifikuar për të dielën në mëngjes, por ishte shtyrë për shkak të kushteve jo të mira të motit. Eventi mbahet çdo dy vite dhe organizatorët thonë se është mbledhja më e madhe e balonave me ajër të nxehtë në botë.

Atje ofrohen deri në dielën e 4 gushtit, fluturime masive që nga agimi i ditës e deri në perëndim.

Top Channel