Një adoleshent amerikan ka fituar një çmim rekord, prej 3 milionë dollarësh duke u bërë kampion botëror në lojën kompjuterike Fortnite.

Ky është çmimi më i madh në historinë e sporteve elektronike, me 30 milionë dollarë të ndarë mes fituesve.

Kyle Giersdorf, 16 vjec, fitoi eventin solo të kompeticionit në stadiumin “Arthur Ashe”, në Nju Jork, ku zakonisht mbahen turnetë e “US open”, në tenis.

Adoleshenti britanik, Jaden Ashman, fitoi thuajse 1.5 milionë dollarë duke dalë i dyti në kategorinë e ndeshjeve dyshe.

“Gjithçka që dua tani është një tavolinë e re dhe ndoshta edhe një ekspozitor për trofeun tim”, tha Giersdorf, pas marrjes së çmimit të madh.

Eventi konsiderohet një nga momentet më të mëdha të sporteve elektronike që vlerësohet se është një industri miliarda dollarëshe.

Sidoqoftë, rekordi i çmimit më të madh në vlerë monetare, pritet të thyhet në një tjetër event të quajtur “The International”, që do të mbahet në gusht. Në finalen e Fortnite, 100 lojtarë janë përballur me njëri tjetrin para ekraneve kompjuterike gjigante. 40 milionë lojtarë janë përpjekur të kualifikohen gjatë 10 javëve të kompeticionit online.

Loja përfshin 100 lojtarë që lihen në një ishull, ku ata duhet të gjejnë armë, të ndërtojnë struktura dhe të eleminojnë njëri tjetrin deri sa një lojtar të dalë në krye. Ajo ka 200 milionë lojtarë të regjistruar në të gjithë botën dhe mund të shkarkohet pa pagesë. Por sidoqoftë, lojtarët mund të shpenzojnë para për blerje gjatë lojës.

Top Channel