Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka uruar Boris Johnsonin për marrjen e detyrës si kryeministër i ri i Britanisë së Madhe dhe ka biseduar me të përmes telefonit për kapjen e cisternës britanike nga Irani në Ngushticën e Hormuzit.

“Boris dhe unë biseduam. E urova dhe ai është gati të nisë punën. Ai do të bëjë një punë të mirë. Ne po punojmë për një marrëveshje tregtie dhe unë mendoj se do të jetë një marrëveshje shumë e mirë”, shprehet Trump.

Dy udhëheqësit kanë biseduar për tensionet e fundit me Iranit dhe për nevojën që Uashingtoni dhe Londra të punojnë së bashku për këtë çështje, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Britania.

Tensionet ndërmjet Iranit dhe Britanisë janë përshkallëzuar që prej se Marina Mbretërore britanike kapi një cisternë iraniane në Gjibraltar më 4 korrik dhe më pas Irani konfiskoi një cisternë të naftës së Britanisë më 19 korrik.

Johnson u bë kryeministër i Britanisë pasi paraardhësja e tij, Theresa May nuk arriti që të nxjerr vendin nga Bashkimi Evropian, pasi Parlamenti britanik refuzoi marrëveshjen e arritur me Brukselin. Boris Johnson është zotuar se Britania do të dalë nga BE-ja më 31 tetor me ose pa marrëveshje.

Top Channel