Më shumë se 2.400 notare nga 30 vende të botës u bënë pjesë e garës ndërkontinentale të notit që zhvillohet çdo vit në Bosfor. Qëllimi i pjesëmarrësve është të përshkojnë me not sa më shpejt që të munden 6 kilometra e gjysmë.

Rekordi deri me tani në garën që afron pjesën aziatike me atë evropiane të Stambollit, është gati 50 minuta. Adrenalina e pjesëmarrësve mbërrin në maksimum.

“Ishte shumë argëtuese të notoja këtu. Kur zhysja kokën në ujë, përpiqesha të shikoja çfarë kishte rrotull. Jam shumë e lumtur që përjetova diçka të tillë”, tha Yara, notare nga Stambolli.

Vështirësitë megjithatë, nuk mungojnë.

“Ishte goxha e vështirë. Vuajta shumë, sidomos nga fundi. Uji në disa vende ishte vërtet shumë i ftohtë. Mu desh të angazhohem më fort për të notuar në ato zona”, shtoi Yara.

Uji është i ftohtë, në çdo metër që kalon edhe më i ftohtë bëhet, ndaj finishi ishte mjaft i vështirë sepse uji aty të dukej brisk!!! Është e bukur si eksperiencë, por e vështirë”, tha notari nga Ukraina, Danel.

Konkurrimi  është një event i përvitshëm i mbajtur në ditë të dielë, të caktuar diku nga fundi i korrikut, përgjatë së cilës Ngushtica e Bosforit mbyllet pËr mjetet lundruese. Gara është organizuar për herë të parë në 1989-ën nga komiteti olimpik turk në Stamboll dhe që prej atëherë është kthyer praktikisht në  një ngjarje ndërkombëtare. Eventin e sivjetshëm, si për meshkuj, edhe për femra, e fituan dy notarë turq.

Top Channel