Kapitulli 24 i negociatave me BE, lufta ndaj krimit, azilit, terrorizmit dhe çështjet e drejtësisë

20/07/2019 14:59

Në një kohë kur reforma në drejtësi ka prodhuar së fundmi akuza të ndërsjellta, mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, Qeveria nis përgatitjet për hapjen e Kapitullit 24, në negociatat me BE-në.

 

I gjithë ky kapitull ndër më të rëndësishmit lidhet me luftën kundër krimit të organizuar-migracionin, azilin, kufijtë e jashtëm dhe politika e vizave, luftën kundër terrorizmit,  bashkëpunimin gjyqësor në çështjet penale e civile ku përfshihen Ministria e Drejtësisë, ajo e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, Prokuroria e Përgjithshme etj. Grupi i punës udhëhiqet nga zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Romina Kuko, e cila përmes katër postimeve në ‘Twitter’ jep detaje për punën e nisur.

“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është shprehur sot (dje) sërish pa asnjë ekuivok lidhur me hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ministria e Brendshme, si institucioni lider për Kapitullin 24, në këmbë për përgatitjen e plotë të gjithë procesit. Sot në mbledhjen e Komitetit Drejtues dhe Grupit të Punës nga MB dhe PSH. Kapitulli 24 “Drejtësia, Liria, Siguria” është kapitulli i parë (së bashku me Kap.23) që do të hapet në negociatat me BE”, shkruan Kuko.

Në lidhje me këtë zhvillim zonja Kuko thekson.

“Proces intensiv i cili nuk konsiston vetëm në përafrim legjislacioni, por në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit, si dhe rezultate konkrete nga operacionet. Drejtësia e re”, shkruan zv/ministrja.

Ky përafrim legjislacioni do të thotë jo vetëm prodhim i  ligje të mira për t’u mbetur në letër por mbi të gjitha implementim dhe rezultate konkrete.

Top Channel