Një shqiptar që kishte emigruar në Britaninë e Madhe, tregon se si e kishin skllavëruar duke e mbajtur mbyllur në një shtëpi ku duhej të kujdesej për rritjen e kanabisit, në mënyrë që të paguante një borxh.

“Po ta dija që do të kishte shkuar kështu, s’do të isha larguar nga Shqipëria e do të kisha qëndruar në shtëpi”, thotë ai për CNN, duke shtuar që ende ka frikë për jetën.

Teksa rrëfen historinë e tij, ai thotë se vite më parë i ishte dashur t’i dërgonte parà të atit, që kishte pësuar një aksident. Nevoja për më shumë parà e kishte shtyrë të ndiqte këshillën e disa personave, të cilët i kishin prezantuar një fajdexhi, i quajtur Selam. Fajdexhiu ia kishte dhënë paratë huà me një përqindje të lartë.

Por ia kishte kthyer me ngadalë, fajdexhiu i kishte thënë që borxhin e tij ia kishte shitur një personi tjetër, i cili do t’i ofronte një punë si mënyrë për ta shlyer. Ky person e kishte çuar në një shtëpi dhe i kishte shpjeguar se detyra ishte të kujdesej për banesën. Por më pas kishin sjellë bimët e kanabisit, për të cilat ai duhej të kujdesej.

Emigranti shqiptar kishte refuzuar fillimisht, por kërcënimet e kishin bërë që të bindej e të vazhdonte të qëndronte. Ai duhej të paguante 6000 sterlina për tre muaj. Me kalimin e kohës kishte ndier se burgu ndoshta do të ishte një qeli më e mirë se shtëpia ku po mbahej, sepse nuk i ofronin asnjë lloj kushti.

“Kushtet i kishin për bimët, jo për mua. Ato ishin të rëndësishme, unë jo. Unë duhej vetëm të ndihmoja me rritjen e gjërave të rëndësishme”, thotë shqiptari për CNN, duke shpjeguar se flinte mbi një dyshek me ajër dhe e lejonin të dilte vetëm një herë në javë, sa për të paguar faturat dhe për të blerë ushqim për vete.

“Po të më arrestonin te shtëpia, do të shkoja në burg. Për këtë arsye, për mua ishte më mirë të më dëbonin sesa të më arrestonin për rritjen e hashashit. Edhe shëndeti po më përkeqësohej”, thotë ai.

Pasi u mbajt për tre muaj në shtëpi, ai u shpëtua nga policia.

“Kur erdhi policia, u tremba shumë, sepse s’isha arrestuar kurrë në jetë. Por ata u sollën mirë. Më qetësuan e më shpjeguan se çfarë po ndodhte. Më shpjeguan skllavërinë moderne e se si funksionon. Unë nuk dija gjë se çfarë ishte”, thotë ai.

Ushtria e Shpëtimit (Salvation Army) ka marrë përsipër të kujdeset për shqiptarin e skllavëruar, i cili tani po pret përgjigjen e aplikimit për azil. Nëse kthehet në Shqipëri, ai ka frikë se mos pjesëtarët e bandës e gjurmojnë dhe hakmerren.

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA