Qeveria gjermane vlerëson pozitivisht misionin e ri të Frontex-it në kufirin shqiptaro-grek.

Ky mision ka nisur para dy muajsh. Operacioni i Agjencisë Europiane të Mbrojtjes së Kufirit, kontribuon duke “mbështetur Autoritetet Shqiptare në punën e tyre, për mbrojtjen e kufirit dhe për masat e kthimit, si dhe aplikimin e standardeve të BE-së në këtë drejtim”, thuhet në një përgjigje të qeverisë gjermane ndaj kërkesës së parashtruar nga grupi parlamentar i partisë “E Majta”, njofton agjencia e lajmeve “DPA”.

Aktualisht në kufirin shqiptaro-grek janë vendosur 66 trupa kufitare nga 12 vende anëtare të BE-së, ndër ta njëmbëdhjetë punonjës të policisë gjermane.

Forcat e Frontex-it ndihmojnë rojet shqiptarë për të kontrolluar “vijën e gjelbër të kufirit” dhe të parandalojnë kriminalitetin ndërkufitar.

Ata janë pozicionuar në pesë pikëkalime kufitare. Ky është misioni i parë në një shtet jo anëtar të BE-së, ku pjesëtarët e Frontex-it marrin edhe kompetenca sovraniteti.

Sfondi i misionit të Frontex-it ka të bëjë me rritjen e numrit të refugjatëve dhe emigrantëve më 2018, që kalojnë nga Greqia në Shqipëri.

Që andej ata përpiqen të vazhdojnë rrugën kryesisht përmes Malit të Zi, ose Kosovës për në Itali, Austri e Gjermani.
Në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të IOM në Shqipëri janë regjistruar 1210 emigrantë të rinj. Vitin e kaluar kanë hyrë 3399 vetë në këtë vend.

Krahasuar me vitin 2017 me 752 emigrantë në Shqipëri numri i tyre është rritur ndjeshëm.

Misioni i Frontex-it do të zgjerohet edhe në vende të tjera të Ballkanit. Ndërkohë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme gjermane janë “në fazën finale të negocimit”, marrëveshje përkatëse me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bonsje-Hercegovinën.

Top Channel