Sot në Top Talk vjen një politikan shqiptar por aktivitetin politik e ushtron në Belgjikë, atje ku jeton prej shumë dekadash së bashku me familjen e tij. Është fjala për Ahmet Gjanaj deputet i Parlamentit të Belgjikës. Gjanaj ka zhvilluar një bisedë mbi aktualitetin politik në Shqipëri, si shihet ai nga jashtë, por edhe procesin e integrimit të Shqipërisë, avantazhet apo pengesat e këtij procesi.
Në lidhje me situatën e acaruar politike, zoti Gjanaj ka shprehur keqardhje për politikën shqiptare dhe se e njëjta gjë ka ndodhur edhe dy vite më parë në Shqipëri. Sipas tij, kriza është ricikluar dhe se fillesat e saja i ka të hershme, që në nisjen e pluralizmit politik, ku nuk është ndëshkuar diktatura. Kjo pandëshkueshmëri ka bërë që kjo klasë politike të vazhdojë veprimtarinë e vet në dëm të Shqipërisë.
“Rinovimi i politikanëve në këto 30 vite nuk ka ndodhur dhe një pjesë e tyre vijnë nga komunizmi. Kjo nuk ka ndodhur sepse pjesa e atyre që kanë bazat në komunizëm dhe që janë trashëgimtarë të tyre, po e pengojnë dhe nuk e dëshirojnë pluralizmin, nuk e dëshirojnë lirinë e mendimit, lirinë e të gjithë aktiviteteve që do t’i duhet kësaj demokracie, nuk e dëshirojnë drejtësinë. Drejtësia është një pengesë për ata dhe që mundohen që ta ndikojnë. Ata nuk sillen si njerëz që kanë përgjegjësi ta çojnë vendin e tyre në demokraci”, tha deputeti Gjanaj.
Zoti Gjanaj vlerësoi reformën në drejtësi, duke thënë se duhet të kishte ndodhur më parë. Sipas deputeti shqiptar në Belgjikë, pjesa më errët e politikës shqiptare është në një ndërmarrje të përbashkët për ta penguar realizimin dhe reformimin e drejtësisë.
Top Channel