Koalicion për mbrojtjen e ujërave, SHBA kërkon lundrim të sigurt pranë Iranit

10/07/2019 09:14

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje aleatëve t’i bashkohen një koalicioni për mbrojtjen e ujërave përreth Iranit dhe Jemenit. Gjenerali i Lartë amerikan i Marinës, Joseph Dunford sqaroi se SHBA-ja kërkon që të sigurohet liria e lundrimit në rajonin ku kalojnë disa prej rrugëve më të rëndësishme tregtare të botës.

Uashingtoni fajëson Iranin dhe palë të treta mbështetëse të tij për sulme ndaj anijeve tregtare. Patrullimet do të fokusohen më së shumti në ngushticën e Hormuzit, aty ku u shënjestruan muajin që shkoi dy anije cisternë, episod ky për të cilin Amerika fajësoi Republikën Islamike, e cila nuk i pranon akuzat.

Nga sa pohon gjenerali Dunford, Shtetet e Bashkuara janë në bisedime me një seri vendesh që kanë dëshmuar vullnet politik për të mbështetur këtë plan të saj. Amerika vetë do të ofrojë anije komandë dhe mjete kontrolli, megjithatë nevojiten që dhe vende të tjera të angazhojnë anijet e tyre me qëllimin që të mbështeten patrullimet.

Vetëm disa ditë pas incidentit të cisternave, forcat iraniane në Gjirin Persik rrëzuan një dron amerikan pa pilot. SHBA-ja këmbëngul se ai po fluturonte në ujra ndëkombëtare, ndërsa Teherani thotë se kishte shkelur hapësirën e tij ajrore.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur ndjeshëm, duke shtyrë Iranin të kërcënonte se do ta mbyllë ngushticën e Hormuzit nëse nuk do të jetë në gjendje të eksportojë naftë, sanksioni që Trump ka kërcënuar ta vendosë mbi regjimin e Ajatollahëve nëse nuk rinegociojnë marrëveshjen nukleare.

Top Channel