Protestat në Hong Kong i kanë dhënë frytet e tyre. Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se projektligji i shumë debatuar që do të lejonte ekstradimet në Kinë, është tani i vdekur.

Në një konferencë për shtyp, të martën, Lam tha se puna e qeverisë me ligjin ka qenë një dështim total.

Por ajo nuk tha nëse ligji ishte tërhequr plotësisht siç edhe kërkonin protestuesit. Ligji ndezi protesta të shumta dhe një valë zemërimi në qytet dhe qeveria mori vendimin për ta pezulluar atë pa afat.

“Por ka ende dyshime në lidhje me sinqeritetin e qeverisë apo shqetësime nëse qeveria do të rifillojë proçesin në këshillin legjislativ. Ndaj unë dua të përsëris; nuk ka një plan të tillë. Ligji ka vdekur”, tha Lam.

Kritikët e ligjit argumentonin se ai do të cënonte pavarësinë gjyqësore të territorit dhe mund të përdorej për të vënë në shënjestër ata që flasin kundër qeverisë kineze.

Hong Kongu, në të shkuarën një koloni britanike, është pjesë e kinës por qeveriset nën marrëveshjen, një vend dy sisteme, që i garanton atij një nivel autonomie. Hong Kongu ka sistemin e tij të pavarur gjyqësor dhe ligjor, të shkëputur nga Kina.

Top Channel