Në ditën e fundit të samitit të Poznanit, në Poloni, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, takohen me homologët e tyre nga vendet e BE-së, pjesë e nismës së njohur si procesi i Berlinit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministria britanike në largim, Theresa May, kryeministri francez Edouard Philippe dhe Presidenti polak, Andrzej Duda bisedojnë me kryeministrat e rajonit, mes të cilëve ai shqiptar Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryeministrja serbe, Ana Brnabic.

Zyrtarët e BE-së kanë bërë këto dy ditë përpjekje, që të sigurojnë vendet e Ballkanit Perëndimor, që synojnë t’i bashkohen BE-së, se blloku mbetet pozitiv për aspiratat e tyre.

Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, tha se Berlini mbështet procesin e pranimit të gjashtë vendeve të rajonit.

Ai madje bëri thirrje, për një hapje të shpejtë të bisedimeve të vonuara, të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ka shumë gjëra që mund të bëhen, nëse politikanët e kanë vullnetin dhe janë në gjendje të tejkalojnë stereotipet. Të gjithë jemi përgjegjës për të siguruar që perspektiva e pranimit në BE mbetet konkrete”, është shprehur Michael Roth.

Ministri gjerman, theksoi në mënyrë të veçantë arritjet e Shkupit dhe kërkoi që vendi të merret si shembull edhe për zgjidhjen e problemit tjetër të rëndësishëm për rajonin, normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Performanca e vlerësuar e Maqedonisë së Veriut ka bërë që vitin e ardhshëm, ajo së bashku me Bullgarinë, të jenë organizatorët e samitit të shtatë BE-Ballkan perëndimor.

Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e Kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014 me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin Europian të Rajonit.

Top Channel