Gazetarja dhe moderatorja e njohur Fatma Haxhialiu është një nga fanset më të zjarrta të grupit të djemve Backstreet Boys.

E ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, ajo tregoi se i ka adhuruar që në moshën 17 vjeçare dhe pas shumë viteve ia doli të realizonte ëndrrën për të qenë e pranishme në koncertin e tyre.

Videot që vet Fatma postoi në rrjetet sociale, treguan më së miri sa shumë ishte argëtuar atë natë, duke kërcyer e kënduar pa asnjë kompleks gjatë gjithë kohës. Mirëpo mbrëmja ishte kthyer në një moment të paharrueshëm kur një prej anëtarëve të bandës, AJ McLean, i preferuari dhe “i dashuri” i saj gjatë adoleshencës, i kishte dërguar një puthje nga skena.

“Kush më ka njohur mua 14 deri në 20 e pak vjeç, e di shumë mirë çfarë do të thotë për mua të isha në atë koncert dhe fakti që AJ më puthi. Ne u pamë në sy Bieta dhe ai më dërgoi një puthje”, tha ajo duke qeshur.

“Isha shumë afër skenës, nuk e di nëse është turp apo nder, por vetëm unë ulërija aq shumë. Imagjino tani një kaçube, se akoma nuk i kisha mbledhur flokët, një gjë që lëviz aty thoja me vete sot duhet të kisha veshur dhe 10 cm takë që ta kisha përballë fare. Dhe në një moment që isha duke bërtitur ‘Aj I Love u’, ai kthen sytë lart nga mua edhe më dërgon një puthje”, përfundoi së treguari gjithë entuziazëm Fatma.

Top Channel