Antraksi apo plasja siç njihet në gjuhën e blegtorëve është rishfaqur këtë vit, në disa vatra të hershme tradicionale, të qarkut të Gjirokastrës.

Deri tani numërohen zyrtarisht 11 krerë të ngordhur, në fshatin Bulo, në Bashkinë Libohovë, ndërsa po ekzaminohen disa raste të ngordhjes së bagëtive, në dy vatra të tjera, në Lekël të Tepelenës.

Avdul Avduli fermeri që humbi 11 krerë dele, nga tufa e tij me 300 krerë thotë se nuk u lajmërua, për rrezikun dhe as për vaksinime.

Territori është dezinfektuar me klor dhe gëlqere pluhur, kafshët e ngordhura jane djegur dhe groposur, por kjo nuk është zgjidhje përfundimtare.

Operatori i sistemit për vaksinimin thotë se sipas strategjisë këtë vit janë vaksinuar vetëm zonat ku është provuar se kishin të paktën 1 rast me plasje, gjatë tri viteve të fundit.

Në 2017 u evidentuan 18 raste të ngordhjes së bagëtive të imta, nga sëmundja me origjinë bakteriale dhe 1 rast në gjedhë, ndërsa në 2016 një person humbi jetën, prej infektimit.

Në të gjithë qarkun specialistët po mbajnë në mbikëqyrje vatrat shumëvjeçare, në Nepravishtë, Fushbardhë, Picar, Kolonjë, Çajup, Lekël, Valare etj, ndërsa pritet mbërritja e disa qindra vaksinave, për të përballuar këtë situatë.

Top Channel