Liderët e Bashkimit Evropian u rimblodhën në Bruksel të martën për të tretën ditë radhazi, për të biseduar për plotësimin e posteve kryesore drejtuese të bllokut.

“Unë mendoj se pas pak orësh ne do të mund të arrijmë një marrëveshje”, tha Macron.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha ndërkohë se vazhdonte të shpresonte se me vullnet të mirë një kompromis mund të jetë i arritshëm. Pavarësisht shenjave për progres pasi bisedimet nisën të dielën, liderët kanë mbetur të ndarë për një kompromis franko-gjerman për atë që do të jetë shef i ri i komisionit evropian, krahut ekzekutiv të bllokut.

Kompromisi Merkel-Macron, i arritur në prapaskenat e samitit të G20 në Japoni të shtunën, kërkonte socialdemokratin holandez Frans Timmermans, në krye të komisionit dhe jo rivalin e tij konservator gjerman, Manfred Weber. Këtij të fundit do t’i ofrohej posti i kryetarit të Parlamentit Evropian, ku ai kryeson bllokun më të madh politik. Ndërkohë që Kristalina Georgieva, një bullgare që aktualisht kryeson Bankën Botërore, do të bëhej presidente e Këshillit Evropian.

Sipas burimeve një liberal mund të zëvendësojë shefen e diplomacisë, Federika Mogherini dhe ai mund të jetë kryeministri belg Charles Michel ose politikania daneze Magrtethe Vestager.

Zë në këtë zgjedhje ka edhe Parlamenti i ri Evropian, i dalë nga zgjedhjet e majit, që u mblodh në seancën e tij inauguruese të martën, me deputetët britanikë, që kthyen shpinën në sallë, në momentet kur u luajt himni i Evropës

Top Channel