Edhe pse pjesëmarrjen e ulët në votimet e 30 qershorit e konsideroi fitore të aksionit opozitar, Lulzim Basha u shpreh sot në mbrëmje nga selia blu se kriza politike në vend është thelluar. Ai bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama, largimin e të cilit e konsideroi qëndrim të pandryshuar të opozitës.

“Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën. Sepse dje edhe më fort u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama. Se me Edi Ramën nuk ka asnjë shpresë se mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Beteja jonë vazhdon edhe më e fortë edhe më e vendosur. Qëndrimi ynë për Edi Ramën nuk ndryshon. Edi Rama duhet të largohet dhe të hetohen të gjithë ata që janë kapur duke manipuluar zgjedhjet me krimin. 30 qershori tregoi se me Edi Ramën nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme. Edi Rama duhet të refuzohet siç e refuzuat ju dje. Ai nuk mund të jetë pjesë e asnjë hapi drejt të ardhmes”, u shpreh Basha.

“Farsa dështoi. PD doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë së bashku si qytetarë jemi sot më të bashkuar se kurrë më pare dhe më të fortë se kurrë më parë. Edi Rama doli më i vetmuar dhe më i dobët nga 30 qershori. 30 qershori  zbuloi fytyrën e vërtetë të Partisë Socialiste të shkatërruar nga Edi Rama: ajo është parti që tashmë e mbështesin vetëm për para”, tha kreu i PD.

Duke iu referuar raportit të OSBE, kryeopozitari tha se votimet ishin të paligjshme dhe tani ky është fakt i pranuar nga të gjithë.

Top Channel