Veliaj voton i shoqëruar nga bashkëshortja: Dilni votoni për të ardhmen e fëmijëve tuaj

30/06/2019 08:44

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili garon për një mandat të dytë, ka mbërritur pak pas orës 08:30 në qendrën e votimit tek “Parku Olimpik”, për të ushtruar të drejtën e votës.

Kandidati i koalicionit të majtë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa votuan para pak çastesh në qendrën e tyre pranë Parkut Olimpik. Pasi ushtroi të drejtën e tij për të votuar, kryebashkiaku Veliaj i bëri thirrje gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë mundësinë për të zgjedhur duke theksuar se këto janë zgjedhje për punët e qytetit dhe jo për inatet politike.

“Jemi në një ditë fantastike, të bukur me diell për Tiranën tonë. Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim se si do të vazhdojë qyteti. Kështu dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të votojnë. Unë e di se ka parti që kanë bindje politike, që kanë inate të vjetra, që kanë pazare të pambyllura, por këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për mënyrën sesi do pastrohet Tirana, për çerdhet, kopshtet, shkolla, ndaj dhe mbipolitizimi, ose përdorimi i zgjedhjeve për të hesape që dikush ka me të kaluarën nuk përbën sens. Ndaj dhe jam i lumtur sot që shikoj se në të gjithë qytetin ka radhë për të marrë pjesë, ka radhë për të votuar, ka radhë për të thënë atë që ne mendojmë si ka ecur qyteti”, tha Veliaj.

Më tej ai u shpreh se dita e sotme është e rëndësishme për të vendosur për të ardhmen e fëmijëve të familjeve të Tiranës. “Dua ti ftoj të gjithë, votoni, votoni, votoni, si e vetmja mënyrë, për të treguar që vota ka fuqi, vota mund të bëj diferencën, vota mund ta ndryshoj realitetin. Iu kujtoj të gjithëve që në vitin 2015 ishte vota ajo që ishte vota ajo që vendosi dhe prej asaj vote patëm këtë rezultat. Për të gjithë fëmijët dhe familjet e Tiranës ky është momenti ynë dhe dita jonë për të thënë se si e duam qytetin. Shpresoj të gjeni një moment edhe të votoni”, u shpreh Veliaj.

Ai falenderoi edhe konkurrentin e tij në këto zgjedhje, Arben Skënderi për fushatën qytetare që bëri duke treguar se në këtë garë janë për mënyrën se si do shkojnë punët e qytetit. “Dua ta falenderoj shumë garuesin tjetër, kundërshtarin. Është një çun Tirane, pavarësisht bindjeve që ne kemi të ndryshme me Arben Skënderin, një gjë na bashkon. Si ai, si unë. Si unë me Ajolën, si ai me Denadën kemi vendosur që fëmijët t’i rrisim këtu, çunat t’i rrisim këtu. Këtë qytet ta kemi shtëpinë tonë. Të hedhim rrënjë këtu. Të krijojmë familjen këtu. Dhe besoj për të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve që kemi, besoj ka më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa gjëra që na ndajnë. Kështu që këto zgjedhje janë për ato që na bashkojnë, edhe për mbarëvajtjen e punëve në këtë qytet”, u shpreh Veliaj.

FOTO GALERI
21/23

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA