Ushtria në vend të policisë, merr në ruajtje objektet e rëndësisë së veçantë

29/06/2019 15:09

Që prej pasdites së të premtes, ushtria ka marrë në ruajtje ambasadat e vendeve të huaja, të cilat konsiderohen objekte të rëndësisë së veçantë. Vendimi për ruajtjen e këtyre objekteve me trupat e forcave të armatosura ka ardhur pas një vendimi të përbashkët midis Ministrit të Brendshëm dhe asaj të Mbrojtjes.

Ushtria gjithashtu ka marrë në ruajtje edhe objekte të tjera siç janë Kryeministria, Ministritë, rezidencat e trupave diplomatike, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese.

Forcat e armatosura do të qëndrojnë në gatishmëri deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor, një praktikë e ndjekur në çdo pal zgjedhje, si në ato vendore ashtu edhe në ato parlamentare.

Siç e bëri me dije në një dalje për mediat edhe Drejtori i Rendit Publik, Alber Dervishaj, 84 objekte të rëndësishme, që ruheshin me forcat e policisë, tashmë do të ruhen nga ushtria.

Janë 280 punonjës policie që rujnë objektet e rëndësisë së veçantë, të cilët pas planit të masave, do të angazhohen për mbarvajten e procesit zgjedhor.

Më pas, përgjegjësia e ruajtjes së këtyre objekteve do të kalojë përsëri tek policia.

Krahas ushtrisë, janë trajnuar rreth 7800 efektivë policie, që do të angazhohen përgjatë zgjedhjeve, nga të cilët mbi 5800 policë kanë marrë në ruajtje objektet zgjedhore në të gjithë vendin.

Shqipëria ka 5417 qendra votimi, 90 KZAZ si edhe 90 Vend Numerimi të Votave, të cilat do të ruhen nga policia.

Top Channel