Mbrëmja e të premtes në Dibër është shoqëruar me protesta të ashpra. Përpara KZAZ 19, u mblodhën një numër i madh mbështetësish të Partisë Demokratike që tentuan të hyjnë me forcë. Protestuesit u përplasën fort me policinë në një përplasje fizike.

Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Të paktën gjashtë policë dhe një gazetar kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

12 persona të arrestuar dhe 39 të shpallur në kërkim. Ky sipas policisë së shtetit është bilanci të arrestuarve si të dyshuar për sulmin ndaj KZAZ nr. 19, në qytetin e Peshkopisë.

Policia e Shtetit thotë se arrestimi i tyre u bë pasi mbrëmjen e të premtes 28 Qershor rreth orës 21.00, ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, përdorën sende të forta, si kapsolla dhe bomba molotov në drejtim të palestrës së shkollës “Nazmi Rushiti”.

Dhuna dhe bombat Molotov u hodhën edhe në drejtim të punonjësve të Policisë që ishin të vendosur me shërbim.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për ‘’Shkatërrim të pronës me zjarr’’, ’’Kundërshtimi me dhune i punonjësve të policisë rendit publik’’ si edhe ‘’Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshi shkruajti në twitter se, “Verbëria e dhunës politike po sulmon me molotov KZAZ e vendosur në shkollën “Nazmi Rushiti” dhe Policinë në Dibër, nën drejtimin e përfaqësuesve të lartë të opozitës. Ligji do të veprojë pa asnjë mëdyshje ndaj çdo forme të krimit!”

PD u distancua nga dhuna në Dibër dhe bëri përgjegjëse qeverinë.

“Dibra është prova më e qartë e kësaj dhune shtetërore. Policë, njerëz me maska dhe uniforma shteti, por pa identifikim, si dhe forca speciale të ushtrisë me uniforma të përziera janë bërë njësh për të dhunuar, për të terrorizuar qytetarët e Dibrës dhe për t’i detyruar ata të dalin në votimet moniste dhe të paligjshme, të organizuara nga Edi Rama”, u shpreh Paloka.

Policia ka arrestuar në flagrancë 12 shtetas, konkretisht:
• K.U., 29 vjeç, banues në fshatin Pollazhan
• M.Gj, 29 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• A.K, 55 vjeç, banues në fshatin Kandërr
• F. V., 54 vjeç, banues në Peshkopi
• A. K., 23 vjeç, banues në fshatin Kandër
• E.K., 25 vjeç, banues në fshatin Kandër
• J. K., 31 vjeç, banues në fshatin Kandër
• I. K., 52 vjeç , banues në fshatin Kandër
• O. Z., 32 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• E. B., 32 vjeç, banues në fshatin Kandër
• L.Z., 42 vjeç, banues në fshatin Ushtelenxë
• A. B., 61 vjeç, banues në fshatin Rashnapojë.

Top Channel