Greqia nënshkruan marrëveshjen, konçensioni për naftë në Detin Jon

28/06/2019 05:05

Nën praninë e vetë kryeministrit Tsipras si dhe ambasadorëve të SHBA dhe Francës, ministri grek i Energjitikës ka nënshkruar kontratat për dhënien me koncension të së drejtës së eksplorimit dhe shfrytëzimit të hidrokarbureve në zonat detare në perëndim dhe në jugperëndim të ishullit të Kretës për një periudhe prej 8 vitesh.

Sipërmarrja e përbashket përbëhet nga konsorciumi francez Total me 40% te aksioneve , korporata amerikane ExxonMobil me po 40% si dhe kompania vendase Hellenic Petroleum me 20% .

“Dita e sotme ka një vlerë të veçantë simbolike dhe historike pasi Greqia bëri një hap të vendosur në mënyrë që të shfrytëzojë pasurinë e saj energjitike. Sot Greqia përveç se një nyje e rëndësishme energjitike në zonën e Mesdheut Lindor dhe Ballkanit zhndërrohet në një vend prodhues të energjisë”- tha Tsipras.

Sipas kryeministrit grek kjo marrëveshje shënon fillimin e shfrytëzimit nga ana e Greqisë të ZEE të saj ,nën shembullin edhe të vendeve të tjera të rajonit.

Dy parcelat detare në fjalë ku do kryhen shpimet dhe kërkimet janë rreth 40.000 km katrorë .Në fazën e kërkimeve shteti grek do të marrë miliona euro vetëm për kontratën dhe dëmshpërblimin për tarifat sipërfaqësore ,ndërsa në fazën e shfrytëzimit taksa ndaj kompanisë shfrytëzuese shkon në 25% të fitimeve.

Sipas studimeve të viteve të fundit thuhet se vlera e rezervave të naftës dhe gazit natyror që pritet të shfrytezohen në jug të Kretës dhe në detin Jon me çmimet e sotme, shkon deri në 3.5 trilion dollarë ,nga të cilat shteti grek do të perfitojë rreth 600 miliard dollarë,ndërsa do të krijohen 400.000 vende të reja pune.

Top Channel