Trump tërhiqet nga sulmi, mediet në SHBA: Ishte gati të bombardonte objektiva iraniane

21/06/2019 09:07

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë qenë pranë një sulmi kundër objektivave iraniane këtë mëngjes, si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të një avioni amerikan vëzhgimi pa pilot mbi ngushticën e Hormuzit.

Mediet amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump urdhëroi sulmin dhe më pas u tërhoq ndërsa operacioni ishte në fazat e hershme të tij.

Sipas planit, pas mesnate duhet të kishte nisur bombardimi i disa objektivave iraniane si radarë ushtarakë dhe bazës së raketave.

Raportohet se kanë qenë liderët e kongresit ata që e këshilluan Presidentin për vetëpërmbajtje, duke balancuar vijën e ashpër që mbrojnë njerëzit më të afërt të Presidentit, Sekretari i Shtetit Majk Pompeo dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare Xhon Bollton.

Në lidhje me incidentin që po komentohet si një ngjarje që çon në prag lufte Iranin dhe SHBA, të dy palët kanë pretendime të kundërta. Teherani pretendon se avioni spiun kishte hyrë në hapësirën iraniane, por nga Uashingtoni thonë se u rrëzua në hapësirë ajrore ndërkombëtare.

Top Channel