Fiks Fare/ Bashkia ndërton rrugën për sekretarin e Këshillit Bashkiak

14/06/2019 22:08

Bashkia Gramsh ka miratuar një projekt prej 8 milionë lekësh për ndërtimin e një rrugë në lagjen “Xhile Liçi”. Banorët e kësaj lagje prej vitesh ishin ankuar në bashki për ndërtimin e rrugës, pasi ajo aktualja ka vetëm një dalje.

Para tre muajsh bashkia filloi punimet , por banorët vunë re se rruga që po ndërtohej nuk ishte për të mirë të komunitetin, por shtrohej deri tek shtëpia tre katëshe e sekretarit të Këshillit Bashkiak Gramsh, i cili e ka banesën e tij mbrapa pallatit të banorëve.

Ajo që shtyu më shumë banorët t’i drejtoheshin “Fiks Fare” është se projekti për ndërtimin e kësaj rruge rreth 10 metra të gjatë nuk përmbushte aspak interesat e tyre, përkundrazi nga ndërtimi i saj u desh të prishej sheshi i pallateve.

Por ajo që është më interesante është se rruga që po ndërtohet ka një pjerrësi shumë të lartë.

“Ne nuk duam të zbatohet ky projekt, pasi me ndërtimin e kësaj rruge ne do kemi vetëm aksidente” shprehet njëri prej banorëve duke mos e fshehur shqetësimin se pjesë e këtyre aksidenteve do të jenë fëmijët e tyre.

Madje ata kanë protestuar edhe para bashkisë ku për një farë kohe punimet u pezulluan, pasi kërkonin rishikim të projektit. Sërish rifilloi rruga, por banorët panë që në projekt kishte ndryshime shumë të vogla , për të mos thënë të pallogaritshme.

Banorët të shqetësuar ngrenë përsëri zërin që të bllokohen punimet dhe të gjendet një zgjidhje ku të përfitojnë gjithë lagjja në ndërtimin e rrugës dhe jo vetëm një njeri me pushtet.

Në këto kushte gazetarët e Fiksit iu drejtuan Bashkisë Gramsh , ku drejtori i Urbanistikës u shpreh se projekti është miratuar nga Këshilli Bashkiak si kërkesë e vazhdueshme e banorëve të lagjes “Xhile Liçi”, por që disa janë dakord me njërin projekt e disa të tjerë jo.

Ai pranon se shtëpia e sekretarit ndodhet në këtë lagje, por mohon se kjo rrugë është hapur për interesin e tij. Sipas drejtorit kjo bashki nuk heq dorë nga projekti, pra punimet do të vazhdojnë.

Top Channel