Në vitin 1992, Fatmir Xhindi hedh një hap të rëndësishëm në politikë. Partia Socialiste, i beson atij kandidimin në komunën e Kurjanit, vendlindjen e tij. Falë influencës në zonë, Fatmiri zgjidhet kryetar komune me një rezultat bindës.

“Korrektësia e tij, puna e mirë, siç u bë dhe reforma e ndarjes së tokës ai ka qenë njeri bashkëpunues dhe faktor bashkimi për njerëzit se në atë kohë dhe probleme ka pasur shumë, toka ime, toka e këtij”, tregon Nazmi Zeka, mësues i shkollës Vlosh.

“Fatmir Xhindi në zonë nuk dihej me kë ishte me PS apo PD, në marrëdhëniet që krijonte, unë kam qenë i PD-së dhe më kishte mikun më të mirë”, tregon Bedri Selimi, mësues i shkollës Kurjan.

Xhindi po mbyllte një mandat të suksesshëm, por Shqipëria po shkonte drejt një drame të madhe që kulmoi me ngjarjet e vitit 1997. Pasi përfundon mandatin e kryekomunarit në vitin 1996, Xhindi rikthehet edhe njëherë si mësues në shkollën e fshatit të tij, në Kurjan.

Gjurmët që la si drejtues lokal në krye të komunës bindën drejtuesit e PS-së t’i besonin kandidimin për deputet në zgjedhjet e vitit 1997. Xhindi arrin të mposhtë bindshëm një prej figurave qëndrore të së djathtës në atë kohë, ministrin e Brendshëm, Belul Çelo.

“Ishte një deputet që u rrit aty, që nuk u katapultua, nuk erdhi nga listat dhe si me thënë, ka ardhur shumë natyrshëm, si një pemë e cila është rritur në vendin e saj dhe bën hije në vendin e saj”, tregon Namik Dokle, ish-deputet i PS-së.

“Nëqoftëse kishte një fuqi të Fatmirit në atë territor ishte marrëdhënia e tij me njerëzit, unë e thashë ishte i pathyeshëm dhe i pamposhtur”, tregon zv/kryeministri Erion Braçe.

“Ishte një njeri i admirueshëm, një masovik që nuk shkëputej kurrë nga votuesit e qytetarët”, thotë deputeti Myslim Murrizi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA