Kukësi bën të vetën Kupën e Shqipërisë, mposhti 2-1 Tiranën

03/06/2019 08:25

Kupa e Shqipërisë shkon në duart e Kukësit. Skuadra verilindore triumfoi 2-1 ndaj Tiranës, në finalen e zhvilluar në “Elbasan Arena”, duke ngritur edhe këtë trofe, të cilin e fiton për të dytën herë në historinë e tij, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë sezonin futbollistik në vend.

Kukësi e nisi shumë mirë sfidën, teksa kaloi në avantazh që në minutën e katërt me Vasil Shkurtajn, duke përfituar edhe nga një vendosje e gabuar e Tiranës në mbrojtje. Pak çaste më vonë, Kukësi mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, por portieri Lika shpëtoi Tiranën.

Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 1-0 të Kukësit, pavarësisht përpjekjeve të kësaj skuadre për të shënuar sërish në portën e bardhebluve.

Në pjesën e dytë, Tirana u duk më mirë në fushën e lojës dhe arriti të gjejë edhe golin e barazimit, me atë të Ngoo, që arriti të mposhtë portierin Frashëri, i ndihmuar edhe nga një devijim i Cuculit.

Pritej reagimi i Kukësit dhe ai erdhi. Në fakt, verilindorët shënuan edhe golin e dytë me Reginaldon dhe dhe tifozët e Kukësit shpërthyen sërish në festë.

Tirana, pas golit të pësuar tentoi të barazojë sërish shifrat, por rezultati nuk ndryshoi më deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, që i hapi rrugën festimeve të Kukësit, që ngriti trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA