Treshja drejtuese e SPD-së

Partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani po mbajnë takime të ndara për të diskutuar krizën, në kuadër të shqetësimeve se kabineti i udhëhequr nga Angela Merkel mund edhe të pësojë kolaps.

Pas dorëheqjes së kryetares së Partisë Socialdemokrate, Andrea Nahles, pritet që kjo parti të drejtohet deri në zgjedhjet e reja për kreun e partisë nga një treshe politike.

Sipas medieve, politikanë kryesorë të partisë kanë propozuar 3 emra; dy prej tyre janë kryeministre në landet gjermane, Manuel Schëesig e landit të Meklenburg-Pomeranisë; Malu Dreyer në Renani-Pfalc; si dhe kreun e degës së landit të Hesenit, Thorsten Schäfer-Gümbel.

Andrea Nahles u dorëhoq të hënën edhe zyrtarisht si kryetare e SPD-së.

Ky vendim erdhi pasi partia e qendrës së majtë doli e treta në zgjedhjet e Parlamentit Europian, ndërsa Unioni Kristian-Demokratik i udhëhequr nga Angela Merkel doli i dyti, me “të gjelbrit” në vendin e parë.

Nahles ishte kritikuar për qëndrimin në koalicion me partinë e Merkelit. Në një njoftim të lëshuar nga SPD-ja, ajo tha se “diskutimet brenda Parlamentit dhe vlerësimi nga partia më kanë treguar se nuk e kam më përkrahjen e mjaftueshme për të vazhduar me detyrat”.

Dorëheqja e saj ishte befasi, për shkak se ajo u bë udhëheqëse e partisë në prill të vitit të kaluar dhe pritej të garonte për këtë post sërish.

Top Channel