Si rrallë ndonjëherë, Kina i mbrojti masat e ashpra që rezultuan me shtypjen e përgjakshme të protestave të vitit 1989 në sheshin Tienanmen.

Kjo ishte njëkohësisht dhe një lloj pranimi i masakrës për të cilën vendi komunist gjatë gjithë kësaj kohe ka preferuar të heshtë.

Ministri i Mbrojtjes Wei Fenghe i tha reporterëve se ndalimi i trazirave ishte politika më korrekte. 30 vitet e kaluara që prej atëherë dëshmojnë se Kina ka pësuar ndryshime të qenësishme.

Ishte për shkak të veprimeve të atëhershme të qeverisë që Kina gëzon sot stabilitet dhe zhvillim, ka qenë komenti i ministrit.

Pranverën e 1989-tës, studentët e punëtore pushtuan sheshin Tienanmen të Pekinit në një protestë masive pro-demokracisë. Por autoritetet komuniste ndërhynë në mënyrë shumë të dhunshme e gjatë shtypjes brutale që iu bë asaj shkëndije të demokracisë, shumë persona mbetën të vrarë.

Lidershipi kinez nuk e ka treguar kurrë numrin e vërtetë të të vrarëve, por mendohet që ato të mbërrijnë në qindra e mbase dhe mijëra. Raportimi mbi atë ngjarje është rreptësisht i censuruar në Kinë.

Top Channel