“Zhdukeni nga sytë e Trumpit”, udhëzimi i Shtëpisë së Bardhë për luftanijen “USS John McCain”

30/05/2019 09:37

Shtëpia e Bardhë bëri gjithçka të mundshme që luftanija amerikane, e pagëzuar me emrin e “armikut” të tij të betuar republikan, senatorit të ndjerë John McCain, të mos i dilte përpara syve gjatë vizitës së tij në një bazë detare në Japoni gjatë kësaj jave.

Duke cituar një “e-mail” që daton më 15 maj, dërguar nga një zyrtar i Komandës amerikane të Indo-Paqësorit drejt zyrtarëve amerikanë të Forcave Ajrore dhe Detare, “Wall Street Journal” shkruan se “USS John McCain” duhej “të zhdukej nga çdo fushëpamje” gjatë vizitës së Trumpit në Ditën e Përkujtimit në bazën “Yokosuka”, teksa e marta shënonte ditën e fundit të vizitës shtetërore të tij në Japoni.

“E-mail”-i u kërkonte zyrtarëve “të konfirmonin” se direktiva “do të përmbushej”.

Në kohën kur një komandant i Marinës shprehu habinë për këtë instruksion, zyrtari i kundërpërgjigjej se edhe ai vet “e dëgjonte për herë të parë një udhëzim të tillë”, sipas asaj që publikon gazeta prestigjioze amerikane bazuar mbi këmbimet elektronike.

Zyrtari kishte thënë më tej se do të bisedonte me Shtëpinë e Bardhë për të marrë më shumë informacione mbi udhëzimin e çuditshëm, raporton “WSJ”.

“E-mail”-i fillestar detajonte planet për mbërritjen e Trumpit në bazën që gjendet në jug të Tokios, përfshi instruksionet për zonat e uljes për helikopterët, si dhe përgatitjet në “USS Wasp” (një luftanije shumëfunksionale amfibe) ku presidenti do t’iu adresohej marinarëve amerikanë.

“Wall Street Journal” publikoi edhe një foto që tregonte se një pëlhurë e madhe ishte vendosur mbi emrin e McCainit përpara mbërritjes së Trumpit në Japoni të shtunën e javës së kaluar, duke shtuar se marinarët ishin udhëzuar më tej të hiqnin çdo mbulesë nga anija që mbante këtë emër.

Gazeta shton më tej se marinarëve të anijes, të cilët përgjithësisht mbajnë kapela me të njëjtin emër, iu ishte dhënë ditë pushimi, ditën që Trump do të vizitonte “USS Wasp”.

Një zëdhënës i Pentagonit, nënkoloneli Joe Buccino tha se Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Pat Shanahan nuk ka qenë në dijeni të kësaj direktive. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar pas publikimit të këtij raporti.

Edhe pse pëlhura u hoq, “WSJ” thotë më tej se një anije tjetër u vendos pranë luftanijes “John McCain” për të fshehur gjithsesi këtë emër.

Trump pretendoi, si gjithnjë përmes “Twitter”-it, se nuk kishte aspak dijeni mbi planet për të “fshehur” luftanijen në fjalë, e cila do të kishte qenë e dukshme gjatë adresimit të tij përpara marinarëve. Por, vajza e McCainit, Meghan replikoi menjëherë teksa tha se Trump “do të jetë gjithnjë i kërcënuar nga madhështia e jetës së mrekullueshme të babait tim”.

“Ka pasur shumë kritika se unë flas shumë për babain tim, por edhe 9 muaj nga ndarja e tij nga jeta, Trump nuk do që ai të prehet i qetë. Ndaj, më duhet të ngre zërin dhe të flas. Përndryshe, dhimbja ime do të bëhej edhe më e padurueshme”.

John McCain ndërroi jetë nga tumori në tru në gusht të vitit të kaluar, ndërkohë që gjatë kohës që ishte senator nuk e fshehu kurrë mospëlqimin e tij ndaj Trumpit. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2015, përpara zgjedhjeve të 2016-s, McCain sulmoi Trumpin, i cili iu përgjigj me një akuzë të rëndë, kur tha se “McCain ishte kthyer në hero lufte vetëm sepse ishte kapur peng” dhe se ai “pëlqente më shumë njerëzit që nuk kapeshin”.

McCain pilot u qëllua gjatë Luftës së Vietnamit, u kap rob dhe u torturua gjatë më shumë se 5 viteve si i burgosur lufte.

Top Channel