Të paktën 40 të dënuar në Brazil u gjetën të vdekur të hënën në katër burgje në qytetin e Manausit, që ndodhet në Amazonë. Autoritetet vendase thonë nga lufta mes grupeve rivale vdiqën 15 të dënuar një ditë më parë, ndërkohë që bilanci është rritur.

Një grup pune federal po dërgohet në Manaus në një përpjekje për të ndaluar dhunën. Përleshjet në burgje shpesh përhapen me shpejtësi në Brazil, ku bandat e drogës kanë de facto kontroll mbi pothuajse të gjitha burgjet.

Në janar 2017, gati 150 të burgosur vdiqën brenda tre javëve dhune në veri dhe në verilindje të Brazilit, pasi bandat lokale të mbështetura nga dy fraksionet më të mëdha të drogës të Brazilit – Komanda e Parë Kapitale dhe Komanda e Kuqe – therën njëri-tjetrin.

Një deklaratë nga departamenti i burgjeve të Amazonas tha se autoritetet kishin rifituar kontrollin e katër burgjeve, ndërkohë që nuk u dhanë detaje të tjera.

Presidenti i ekstremit të djathtë të Brazilit Jair Bolsonaro është zotuar të rifitojë kontrollin e burgjeve të vendit, së bashku me ndërtimin e shumë të tjerëve.

Por shumica dërrmuese e burgjeve administrohen në nivel shtetëror. Për dekada me radhë ata janë mbipopulluar keq dhe jashtë kontrollit të autoriteteve lokale, duke shërbyer kryesisht si qendra rekrutimi për bandat e drogës.

Top Channel