Nis beteja në Bruksel, debat për postet më të larta të Unionit

28/05/2019 18:42

Liderët e BE kanë zbarkuar në Bruksel, për vlerësimin e panoramës politike pas zgjedhjeve dhe për të diskutuar mbi kandidatët rivalë për postet kryesore në BE.

Diskutimet për postet, përfshirë zëvendësimin e Presidentit të Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, pritet të zgjasin disa muaj. Për të parën herë blloqet qendrore nuk kanë më shumicën.

Zgjedhjet e parlamentit Evropian nxorën më shumë në pah nacionalistët, të gjelbrit dhe liberalët. Kjo e ka bërë BE më të fragmentarizuar, ndaj gjetja e konsensusit mund të jetë më e vështirë se në të shkuarën.

Bisedimet gjatë darkës mund të mos rezultojnë në asnjë listë kandidatësh. Do të jetë më shumë një okazion që liderët të vlerësojnë humorin politik dhe të eksplorojnë kombinimet e mundshme, për të siguruar një balancë të qëndrueshme opinionesh politike, gjeografike dhe gjinie.

Edhe Kryeministrja Britanike, Theresa May do të jetë e pranishme, por burime nga Brukseli thonë se do të ketë pak ose aspak diskutime për Brexitin.

Zyrtarë të tjerë që do të zëvendësohen gjatë këtij viti janë Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Dragi dhe përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme, Federika Mogerini.

Pas negociatave të gjata, zyrtarët e rinj do të marrin postet më 1 nëntor, me përjashtim të shefit të Këshillit Evropian, që e nis punën nga 1 dhjetori.

Top Channel