Një shtetas japonez ka ndërruar jetë menjëherë në avionin e fluturimit të nisur nga Mexico City, pasi kishte gëlltitur 246 doza kokaine.

Fluturimi, që kishte për destinacion Aeroportin Ndërkombëtar “Narita” të Japonisë, u desh të bënte ulje emergjente në shtetin Sonora të Meksikës, pasi atij i nisën krizat.

Autoritetet njoftuan se personi, i identifikuar si Udo N., ndërroi jetë nga një edemë cerebrale të shkaktuar nga mbidoza.

Pasagjeri kishte ndërruar fluturim, pasi fillimisht e kishte nisur udhëtimin në kryeqytetin kolumbian të Bogotasë.

Sipas një deklarate të lëshuar nga kryeprokurori i Sonorës, dozat me përmasa 2.5 cm të gjata dhe 1 cm të gjera, u gjetën në stomakun e viktimës dhe në rrugët e aparatit tretës, gjatë autopsisë.

Megjithatë, asnjë shqetësim tjetër për 198 pasagjerët e tjerë të fluturimit, përveç kësaj vonese të paparashikuar, pasi ata vijuan udhëtimin e tyre. Ndërkohë, hetimin do ta marrin përsipër autoritetet federale të Meksikës.

Top Channel