Gjeniu që hyri në botën e errët të internetit, dhe nisi të fitojë 250 milionë në vit duke shitur ilaçe, drogë, armë, dhe shërbime vrasësish me pagesë, quhej Pol Lë Ru (Paul Le Roux).

I lindur në Zimbabve, në vitin 1972, ai ishte dhënë për birësim nga prindërit. Këtë refuzim nuk e kishte kapërcyer kurrë.

Ai u rrit në Afrikën e Jugut, ku ndërtoi nga zeroja një perandori interneti të botës së krimit, duke furnizuar Amerikën me ilaçe të paligjshme, e deri me metamfetaminë të pastër të prodhuar në Korenë e Veriut.

Ai arriti të ndërtojë jahte që arrinin t’ua kalonin me shpejtësi edhe motoskafëve të rojave bregdetare. Arriti të blejë mbrojtje nga policia, si dhe gjykatës të panumërt.

Arriti të trafikonte konteinerë me armë ushtarake, avionë privatë të mbushur me flori kontrabandë, sisteme predhash dhe kode programimi të pathyeshme.

Bota e tij e krimit përfshinte bashkëpunim me milicitë afrikane, trafik lëndësh shpërthyese, rrëmbime, tortura, dhe të paktën gjashtë vrasje të vërtetuara.

Në vitet ’90 krijoi E4M, një program “open-source” në Uindous që kodonte disqet dhe i bënte të padepërtueshëm. Po ashtu krijoi TrueCrypt, një program falas që krijonte disqe virtuale me kodim të pathyeshëm.

Perandoria e tij u bë aq e mistershme,  sa dyshohej se Lë Ru-ja i vërtetë ishte personi që fshihej edhe pas Bitcoin-it. Kjo vinte nga fakti që ai nuk ishte tip që donte të binte në sy, si për shembull El Çapo Guzman, por qëndronte në hije.

Por në vitin 2009, një bashkëpunëtor i zhgënjyer prej tij foli me CIA-n dhe premtoi se do t’u jepte bosin e krimit të internetit, Xhef Bezosin e botës së nëndheshme.

Ashtu si Xhef Bezos me Amazon, Lë Ru donte të krijonte një rrjet të botës së krimit ku blerësit mund të gjenin çdo gjë, që nga metamfetamina e deri te predhat ushtarake, vrasësit me pagesë dhe grupe mercenarësh, duke lidhur katër kontinente.

Lë Ruja kishte autoritet, sipas gazetarëve që shkruan një libër për jetën e tij. Ai dinte t’i bindte njerëzit e t’i manipulonte me fjalë e me buzëqeshje, por kishte një të metë. Kur zemërohej ishte shumë hakmarrës dhe kjo e rrëmbente. Dhe kjo e bëri të kapet nga CIA. Në një telefonatë, ai po i thoshte një punonjësi që i duhej një “kuzhinier”. Kur punonjësi e pyeti “e ke fjalën për kuzhinier të vërtetë, shef?”, ai shpërtheu nga zemërimi dhe i tha “Dikë që të  gatuajë metamfetaminë, idiot”.

Ndryshe nga mafia, që bazohej te besnikëria e bashkëpunëtorëve, Lë Ruja e bazonte gjithçka te të qëndruarit në hije. Asnjë nuk e dinte se si dukej, se ku jetonte, se si quhej. Një tjetër detaj që e bënte shumë të suksesshëm, ishte fakti që për të nuk kishin rëndësi paratë, por suksesi i projekteve që niste.

Kur u arrestua, ai u dërgua në Nju Jork nga antidroga amerikane, DEA, me të cilët pranoi që të bënte një marrëveshje për t’i shpëtuar dënimit të ashpër. Rrëfimet e tij çuan në shumë dënime të nivelit të lartë.

FOTO GALERI
7/7
Kur u arrestua, ai u dërgua në Nju Jork nga antidroga amerikane, DEA, me të cilët pranoi që të bënte një marrëveshje për t’i shpëtuar dënimit të ashpër. Rrëfimet e tij çuan në shumë dënime të nivelit të lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA