Nuk ka qetësi për Paris Saint-Germain. Pak ditë më parë, Mbappe ndezi sinjalet e alarmit te kampionët e Francës, me një deklaratë të tijën në lidhje me të ardhmen, duke mos e përjashtuar largimin nga skuadra. Ndërsa tani është Neymar, ai që merr rolin e protagonistit, duke bërë një veprim që nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit Tuchel.
Sulmuesi brazilian, që nuk ishte në ndeshjen me Reimsin për shkak pezullimi, kishte informuar drejtuesit e klubit për largimin e tij drejt Brazilit, për t’u bashkuar me skuadrën përfaqësuese në përgatitjet për Kupën e Amerikës, diçka që trajneri i PSG-së nuk e pa aspak me sy të mirë.
“Për mua, Neymar nuk kishte leje për t’u larguar, por nuk më takon mua vendimi për ta lejuar atë apo jo të ikë”, tha Tuchel në konferencën për shtyp, që mbajti përpara ndeshjes së fundit në kampionat.
Ndërkohë, trajneri gjerman, i cili sapo ka rinovuar kontratën me PSG-në deri në vitin 2021, foli edhe për të ardhmen e brazilianit dhe të Mbappesë, duke konfirmuar dëshirën për mbajtjen e tyre në skuadër, por duket se gjërat nuk varen prej tij.
“Dua që Neymar e Mbappe të qëndrojnë te Paris SG, por nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë do të gjejmë zgjidhje të tjera”, vijoi trajneri i kampionëve të Francës.
Top Channel